Fjalë Kyçe

Kryeministrja daneze shtyn dasmën, për të marrë pjesë në samitin e BE-së

Kryeministrja daneze shtyn dasmën, për të marrë pjesë në samitin e BE-së

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen ka shtyrë dasmën e saj për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Evropian muajin tjetër, tha ajo në një postim në Instagram të enjten.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, udhëheqësit e BE-së kanë planifikuar të takohen ballë për ballë më 17 korrik për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë së coronavirusit për të diskutuar buxhetin evropian dhe planet për rikuperimin nga kriza e COVID-19.

“Mezi po pres të martohem me këtë burrë”, shkruajti Frederiksen në një postim ku shfaqet vetë dhe i fejuari i saj Bo Tengberg.

“Takimi i Këshillit në Bruksel është caktuar pikërisht të shtunën në Korrik kur ne kishim planifikuar dasmën… Por, unë duhet të bëj punën time dhe të mbroj interesat e Danimarkës”.

“Mezi po pres t’i them ‘Po’ Bo (i cili fatmirësisht është shumë i durueshëm)”, shtoi ajo.

Danimarka ka regjistruar 12,836 raste të coronavirusit dhe 603 vdekje, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

Bëhet fjalë për një nga vendet e para perëndimore që filloi të lehtësojë kufizimet e bllokimit në prill pasi numri i rasteve në vend mbeti i ulët.