Fjalë Kyçe

Kryeministrja e re vjen me lajmin e madh: Finlanda rrit të ardhurat e 70 për qind të qytetarëve të saj

Kryeministrja e re vjen me lajmin e madh: Finlanda rrit të ardhurat e 70 për qind të qytetarëve të saj

Kryeministrja e re e Finlandës, Sanna Marin, aktualisht një nga shefat më të ri të qeverive në botë, në një mesazh të Vitit të Ri, u tha qytetarëve se forca e Finlandës qëndron në “njerëzit e saj dhe dijen e tyre”, duke përmendur se arsimi luan një rol kryesor në suksesin e këtij vendi skandinav.

Ajo kujtoi se vendimet e qeverisë, të cilat hynë në fuqi më 1 janar, rritën të ardhurat për rreth 70 për qind të finlandezëve.

“Që nga janari, pensionistët me të ardhura të ulëta do të kenë më shumë euro për të jetuar. Pensionet e më shumë se 600,000 finlandezëve do të rriten. 70 për qind e finlandezëve do të gëzojnë të ardhura më të larta të disponueshme. Me shfuqizimin e modelit të aktivizimit, punëkërkuesit e papunë do të jenë në gjendje të përqendrohen në kërkimin e punës pa pasur nevojë të shqetësohen për humbjen e të ardhurave. Fuqia e shoqërisë dhe e shtetit nuk matet me pasurinë e anëtarëve të saj më të pasur, por me atë se sa më të prekurit janë në gjendje të përballen me sfidat dhe problemet”, tha Marin.

Ajo gjithashtu theksoi se është shumë e rëndësishme që shteti të sigurojë kushte që çdo qytetar të jetojë me dinjitet dhe cilësi.

“Kjo është arsyeja pse ne gjithmonë duhet të pyesim veten në punën tonë nëse të gjithë në shoqëri kanë mundësinë për të bërë një jetë me dinjitet”, tha kryeministrja 34-vjeçare.

Marin, ish-ministre e Transportit dhe Lidhjeve, ka formuar qeverinë e re që përfshin 12 ministre dhe shtatë ministra.