Fjalë Kyçe

Kryeministrja e Zelandës së Re inkurajon javën e punës 4 ditore

Kryeministrja e Zelandës së Re inkurajon javën e punës 4 ditore

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka inkurajuar marrëveshje pune fleksibël, siç do të ishte edhe një javë pune katër ditore ndërsa vendi po del nga izolimi.

Një fundjavë më e gjatë ose thjeshtë më shumë fleksibilitet në punë, do të lejonte banorët e Zelandës së Re të udhëtonin më shumë në vend dhe kjo do të përkthehej në ndihmë për turizmin dhe ekonominë në një kohë kur kufijtë e vendit mbeten të mbyllura. Siç transmeton TCH njoftimin, kryeministrja i bëri këto komente në një bisedim live në Facebook, ndërsa kthehej nga Rotorua, një destinacion i pëlqyer shumë nga turistët. Ardern është bërë e famshme në fakt për fjalimet e saj rastësore online.

“Unë dëgjoj shumë njerëz që sugjerojnë se duhet të kemi një javë pune katër ditore. Përfundimisht kjo është diçka që mund të zgjidhet nga punëdhënësit dhe punëmarrësit – tha kryeministrja. Por unë do ti inkurajoja njerëzit të mendonin seriozisht nëse janë në pozicionin e duhur për ta bërë këtë.

Propozimi sidoqoftë, i shtohet diskutimeve globale për atë se si do të duket balanca punë-shtëpi pas pandemisë. Ardern është lëvduar ndërkombëtarisht për mënyrën se si e udhëhoqi Zelandën e Re dhe e nxori vendin nga kriza e virusit, me 21 viktima të raportuara në një popullatë prej 5 milionësh. Sondazhet e ditëve të fundit tregojnë se ajo është liderja më popullore e vendit në shekullin e kaluar.