Anëtarë të kryesisë të LDK-së, kryetarë të degëve dhe aktivistë kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial në Prekaz dhe kanë vizituar Familjen Jashari.
“Në emër të kryesisë, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka falënderuar Rifat Jasharin për pritjen. Beqiri ka vlerësuar lartë veprën sublime të Familjes Jashari, vepër e cila bëri ndryshime në historinë e kombit shqiptarë. Familja Jashari dha gjithçka për këtë vend”, thuhet në njoftimin për media.
Rifat Jashari, falënderoi anëtarët e kryesisë dhe kërkoi unitet nga e gjithë skena politike për të ndërtuar dhe zhvilluar shtetin tonë. Jashari gjithashtu ka shprehur interesim për shëndetin e Kryetarit Mustafa dhe i uroi shërim të shpejtë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, shpreh mirënjohje dhe i përulet veprës sublime të Familjes Jashari. Në Prekaz kishte filluar kthesa e madhe dhe Familja Jashari kishte kthyer sytë e botës demokratike drejt Kosovës.