Fjalë Kyçe

Kryetarja e AAK-së Mrika Thaqi bëhet ‘vegël’ e Agim Veliut

Kryetarja e AAK-së Mrika Thaqi bëhet ‘vegël’ e Agim Veliut

Qeverisja lokale e LDK-së në Podujevë ka arritur që të miratojë bartjen e rreth 700 mijë eurove të vitit 2018 pas përpjekjes së dytë në Kuvendin Komunal. Pas dështimit në herën e parë në fillim të muajit mars, kur nuk e pati shumicën, që ishte hera e parë (të paktën në këto 3 mandate), miratimi i këtij vendimi i është mundësuar në seancën e fundit pasi opozita e kishte braktisur mbledhjen, ndërsa kuorumin ia ka mundësuar këshilltarja e AAK-së, Mrikë Thaçi, që për dy mandate i ka bërë dy kalime nëpër parti (në 2013 kishte garuar nën siglën e AAK-së e pastaj kishte aderuar në LDK, kurse në 2017 ka garuar me LDK-në dhe është rikthyer në AAK).

“Të hyrat vetjake të Komunës së Podujevës të pashpenzuara në vitin 2018 në shumën e gjithëmbarshme 677.837.80 euro barten në vitin 2019 në programet si vijon: Administratë komunale 548.296.19 euro, shëndetësi 60.000.00 euro dhe arsim 69.541.61 euro. Mjetet e cekura destinohen në kategoritë e caktuara ekonomike sipas specifikimit, i cili është pjesë përbërëse e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, që është miratuar në seancën e fundit, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërsa në seancën e fillimmarsit, Ekzekutivit të kësaj komune nuk i kishin mjaftuar as votat e katër këshilltarëve jashtë LDK-së (2 që ishin përjashtuar nga PDK dhe AAK, 1 i PD-së dhe 1 i OBKD) për të miratuar bartjen e këtyre të hyrave. Atë ditë kundër kësaj pike kishte votuar njëri nga këshilltarët e LDK, Agron Hyseni. Ai kishte thënë se bazuar në projektet e planifikuara nuk është bërë një investim racional nëpër fshatra. Sipas tij, 70 për qind e fshatrave nuk janë të përfshira në këto investime.