Kryetarja e Los Angelesit të ShBA-së, Karen Bass, ka vendosur orë policore të pjesshme për t’i luftuar dhunën dhe plaçkitjet gjatë protestave kundër bastisjeve që lidhen me emigrantët.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, përdori një adresim televiziv për ta akuzuar presidentin Donald Trump për nxitje të protestave, raporton televizioni BBC.
“Dërgimi i luftëtarëve të trajnuar të luftërave në rrugë është i pashembullt dhe e rrezikon mu thelbin e demokracisë sonë” – tha ai.
Më herët, ai paraqiti një kërkesë urgjente në gjykata për t’ia bllokuar presidentit Trump dislokimin më të gjerë të ushtrisë në Los Angeles. Një gjykatës federal e refuzoi kërkesën dhe caktoi një seancë për padinë e guvernatorit për të enjten.
Protestat kundër bastisjeve që lidhen me emigrantët janë përhapur nga Los Angelesi në të paktën nëntë qytete të tjera amerikane, përfshirë Nju-Jorkun, Atlantan, Chicagon, Dallasin e San Franciskon.
Protestat në Nju-Jork janë kryesisht paqësore, por shumë persona tashmë janë arrestuar. Në Teksas është angazhuar Garda Kombëtare.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha: “Garda Kombëtare e Teksasit do të dislokohet në lokacione në mbarë shtetin për t’i garantuar paqen dhe rendin. Protesta paqësore është e ligjshme. Lëndimi i një personi ose i pronës është i paligjshëm dhe do të çojë në arrestim” – shkroi ai në rrjetin X.