Njëri nga tetë emigrantët që u sollën në një qendër pritjeje në Shqipëri të premten – për shqyrtim të kërkesave për azil në Itali – është kthyer mbrapsht në Itali, pasi u vlerësua si i “cenueshëm”, thanë të shtunën një delegacion i aktivistëve italianë dhe ligjvënësit që vizituan qendrën.
Emigranti nga Egjipti u diagnostikua me “probleme psikike”, prandaj ishte e pamundur që ai të mbahej në qendrën e pritjes në Gjadër, tha njëri prej aktivistëve.
Tani për tani, vetëm shtatë emigrantë – pesë nga Bangladeshi dhe dy nga Egjipti – ndodhen në qendrën e pritjes në Shqipëri.
Grupi prej tetë emigrantësh ishte i dyti që u dërgua në Shqipëri prej se qendrat e pritjes filluan punën në tetor, sipas marrëveshjes së arritur mes Italisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe organizatat joqeveritare e kanë kritikuar këtë marrëveshje, duke e cilësuar si precedent të rrezikshëm që nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Marrëveshja lejon që deri në 3.000 emigrantë – që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj – të dërgohen në Shqipëri, ku do të vlerësohen për fitimin e azilit në Itali, apo kthimin mbrapsht në vendet e tyre.
Italia është pajtuar t’i mirëpresë emigrantët që fitojnë azilin, ndërsa atyre që nuk u pranohen kërkesat për azil, dëbohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.
Italia i dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti muajin e kaluar. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore.
Dymbëdhjetë të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, pasi një gjykatë në Romë urdhëroi që ata të mos mbahen në Shqipëri për shkak se vendet e tyre të origjinës – Bangladeshi dhe Egjipti – nuk ishin vende të sigurta.
E zemëruar me këtë vendim, kryeministrja italiane Giorgia Meloni vendosi ta përditësojë statusin ligjor në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë atë akt ligjor në vend se dekret ministrial, duke besuar se kjo do ta bëjë më të vështirë për gjykatat ta sfidojnë vlefshmërinë e tij.
Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.
Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra.
Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shërbejë për strehim të emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.
Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.