Edhe pas 21 vjetëve, kulla dhe shtëpitë e pamposhtura të Jasharëve vazhdojnë të mbesin në rrezik të shembjes.
Ndonëse ishin premtuar mjete për realizimin e projektit të Kompleksit Memorial në Prekaz, deri më tani kanë përfunduar vetëm disa nga punët e një projekti, të cilin e kishte hartuar arkitekti i njohur kosovar Bashkim Femiu, ndërkohë që për ruajtjen dhe për mbrojtjen e kullave nuk është investuar as edhe një cent, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Miliona vizitorë që kanë ardhur në Prekaz dhe vazhdojnë të vijnë pandërprerë kanë tërhequr vërejtjen për gjendjen e rëndë të kullave, të cilat kanë vlerë të madhe historike dhe kanë kërkuar nga shteti i Kosovës t’i mbrojë ato edhe me ligj, por edhe duke financuar mjete për ndërhyrje në pjesët e kullës dhe të shtëpive që rrezikohen të shemben.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Kompleksit Memorial, Bislim Zogaj, sikur edhe paraardhësi i tij Idriz Blakaj, kanë përsëritur shumë herë se gjendja e kullave nuk është e mirë dhe se duhet intervenuar shpejt për ta sanuar gjendjen e tyre.
Zogaj ka thënë gjithashtu se është duke u punuar që punët të fillojnë sa më shpejt, por nuk ka mundur të thotë se nëse punimet do të fillojnë këtë vit.