Fjalë Kyçe

“Kupola e Hekurt” e Izraelit s’i ndjek të gjitha raketat, ja si i përzgjedh dhe sa kushton operimi

“Kupola e Hekurt” e Izraelit s’i ndjek të gjitha raketat, ja si i përzgjedh dhe sa kushton operimi

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, mijëra raketa janë hedhur nga Gaza drejt territorit të Izraelit. Përditë, ato janë ndeshur me raketat shkatërruese të sistemit anti-raketor izraelit, “Kupola e Hekurt” (“Iron Dome”), raporton CNN.

Ushtria izraelite thotë se raketat e këtij sistemi i ndalojnë mbi 90 për qind të raketave që i vendosin në shënjestër. Megjithatë, sistemi “Kupola e Hekurt” nuk e ndjek secilën raketë. Në të vërtetë, sipas të dhënave zyrtare të Forcave Izraelite të Mbrojtjes, sistemi e ka shkatërruar më pak se gjysmën e raketave dhe mortajave të hedhura nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik.

Deri të dielën, forcat izraelite thanë se rreth 3.100 raketa janë hedhur nga Gaza që nga fillimi i konfliktit. Rreth 450 prej tyre nuk kanë fluturuar sipas qëllimit dhe nuk kanë arritur të hyjnë në territorin e Izraelit. Nga 2.650 tjerat, rreth 1.210 janë penguar nga sistemi anti-raketor, transmeton Gazeta Express.

Duke e marrë parasysh numrin e madh të raketave që hedhen nga Gaza, shpesh edhe në grumbuj, “Kupola e Hekurt” në një farë mënyre “vendos” se cilat raketa paraqesin më shumë rrezik për zonat urbane dhe infrastrukturën dhe i injoron ato raketa, trajektorja e të cilave lë të kuptohet se pritet të bien në zona të papopulluara apo në det.

Një raketë e sistemit “Kupola e Hekurt” shihet në qiell më 11 maj (Foto: Reuters)
Forcat Izraelite të Mbrojtjes vlerësojnë se para fillimit të konfliktit, në Gaza kanë qenë rreth 13 mijë deri në 14 mijë raketa, prandaj përzgjedhja e tyre për shkatërrim duket kritike.

Sistemi “Kupola e Hekurt” është zhvilluar nga kompania izraelite “Rafael Advanced Defence Systems” dhe kompania amerikane “Raytheon”. Ky sistem u fut në operim dhjetë vite më parë. Sistemi përbëhet nga radarët për detektimin e raketave.

Secila raketë e sistemit “Kupola e Hekurt” kushton 40 mijë dollarë, prandaj shkatërrimi i 1.200 raketave i ka kushtuar mjaft shtrenjtë Izraelit – 48 milionë dollarë, transmeton Gazeta Express