Fjalë Kyçe

Kurti: Disa nga të larguarit nga VV e kanë kuptuar gabimin

Kurti: Disa nga të larguarit nga VV e kanë kuptuar gabimin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti vazhdon të këmbëngulë në atë se nuk ka pasur ndarje në partinë e tij, me largimin e dhjetëra anëtarëve të saj të cilët tashmë kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Socialdemokrate të Kosovës PSDK.

Kurti tha se të dorëhequrit nga VV-ja kanë bërë gabim që janë larguar dhe disa prej tyre, sipas tij, tanimë e kanë kuptuar një gjë të tillë.

“Është e vërtetë që 12 deputetë e kanë braktisur grupin tonë parlamentarë, por nuk ka ndarje. Ata në zgjedhje parlamentare u votuan në emër të Vetëvendosjes. Unë besoj shumë që ata kanë gabuar e disa prej tyre e kanë kuptuar këtë. Megjithatë Vetëvendosje, nuk mban inat”, u shpreh Kurti, në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës.

Sipas tij, në matjet e fundit që janë bërë të opinonit publik tani Grupi i Deputetëve të Pavarur është më keq sesa kishte qenë partia FER, që udhëheqej nga Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu.

“Ne kemi marrur informacione rreth disa matjeve që janë bërë. Tani ky grup janë më keq se partia FER1, pra tani FER2 ka rreth 1.8% në një sondazh ndërsa në një sondazh tjetër ka 2%, më pak se sa FER1 që kishte rreth 2.7% të mbështetjes”, ka thënë Kurti.

Çarjet në Vetëvendosje, kanë nisur në fund të vitit të kaluar pas publikimit të një bisede virtuale ndërmjet zyrtarëve të VV-së, ku është ofenduar lideri i kësaj partie Albin Kurti.