Fjalë Kyçe

Kurti: Fondi i Ekselencës do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore

Kurti: Fondi i Ekselencës do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të diskutimit konsultativ me donatorë, për një sfidë sistematike me të cilën po përballet Qeveria, tha se duan t’i shtojnë vlerë sistemit demokratik dhe të iu përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Në komunikatën për medie të zyrës së Kryeministrit thuhet se në takimin e ftuar lidhur me mekanizmin që do të themelojë Qeveria, “Fondi i Ekselencës” u bisedua për mbështetjen e mundshme nga donatorët, qoftë me asistencë teknike ose me ndihmë të pjesshme financiare.

“Një fond i tillë do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore, do të përshpejtojë reformën në sektorin tonë publik dhe do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona prioritare si vend”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ai theksoi përkushtimin ndaj reformave dhe vizionin e Qeverisë për të mundësuar zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë, në një demokraci që funksionon mirë dhe shoqëri të drejtë.

“Dikush mendon që ky synim është shumë ambicioz, por kështu janë ëndrrat dhe shpresat e qytetarëve tanë”, tha kryeministri, duke shtuar se duhet të synojmë diçka më të mirë, më të madhe dhe të punojmë pa u lodhur drejt arritjes së saj, ndryshe puna jonë bëhet e rëndomtë. “Po, ne mund të mbërrijmë përmirësime kozmetike aty këtu, por jo transformimin që i duhet vendit tonë”, citohet të ketë thënë më tej ai.

Kryeministri tha po ashtu se për punësimin në pozitat e larta në institucione publike është intervenuar në përmirësimin e përbërjes së Komiteteve vlerësuese, që më parë përbëheshin vetëm nga zyrtarët publikë dhe tani aty bëjnë pjesë edhe specialistë të sektorit privat.

“Aktualisht jemi në procesin e përditësimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit (SKZh) dhe objektiv yni është konsolidimi dhe integrimi i të gjithë mekanizmave të rëndësishëm të planifikimit në një plan të vetëm”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve janë paraparë katër shtylla kryesore: rritja e shpejtë dhe e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë.

“Kryeministri theksoi se nevojat e Kosovës janë të mëdha, prandaj duhet të identifikojmë përkrahjen që na duhet për të shtyrë përpara zhvillimin dhe fuqizimin. Ai shtoi se janë bërë konsultime ndërinstitucionale të Zyrës së Kryeministrit me ministritë e linjës”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se opsioni që po e propozon Qeveria mbështetet në praktikat më të mira që i kanë ndjekur shumë shtete në Evropë dhe jashtë saj.