Fjalë Kyçe

Kurti: Sektori i teknologjisë po bëhet identitet i vendit

Kurti: Sektori i teknologjisë po bëhet identitet i vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka qëndruar në Forumin Ekonomik të Vjenës që u mbajt në Bullgari, ku njoftoi se është takuar me zyrtarë dhe kanë diskutuar mbi bashkëpunimin ekonomik rajonal.

Ai ka shkruar në Facebook se në një sesion diskutimi është folur për inovacionin dhe teknologjinë, derisa ka shtuar se sektori i teknologjisë “po bëhet dita-ditës identitet i vendit”.

“Ndërmjet takimeve me krerë të shtetit bullgar, isha folës në sesionin e diskutimit me titull ‘Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal’, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës që sivjet u zhvillua me moton ‘Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohë të vështira’. Aty shpalosëm historinë tonë të suksesit dhe arritjet përgjatë qeverisjes sonë dhe vizionin tonë për sektorin e teknologjisë që dita ditës po bëhet identitet i vendit”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka shtuar se ka folur edhe për rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal.