Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Hamburg të Gjermanisë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit po qëndron atje me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
ZKM ka njoftuar se kryeministri Kurti e ka vizituar portin e Hamburgut ku ka parë Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ndodhet në Hamburg për të vizituar portin e këtij qyteti, me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Vizita ka për qëllim shqyrtimin nga afër të Sistemit të Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në portin e Hamburgut.”
ZKM thotë se “kjo vizitë është pjesë e punës së vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për të forcuar sigurinë në kufi për të parandaluar kontrabandën dhe kërcënimet që vijnë nga jashtë”.
“Një sistem i lëvizshëm skanimi me rreze X ndihmon në monitorimin e kamionëve të mëdhenj që kalojnë kufirin, duke garantuar kështu një nivel më të lartë të sigurisë pa penguar tregtinë.”
Kurti ka folur me Sarrazim për kushtet në të cilat Gjermania mund t’ia sigurojë Kosovës një skaner me rreze X.
“Gjermania ka shprehur dëshirën për të mbështetur Kosovën në përmirësimin e sigurisë. Kryeministri bisedoi me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë, Manuel Sarrazin për kushtet në të cilat qeveria gjermane mund të na sigurojë një skaner të tillë. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane duke përfshirë fushën e sigurinë.”