Fjalë Kyçe

Kush do të jenë kandidatët për të parin e LDK-së? Flet nënkryetari i partisë

Kush do të jenë kandidatët për të parin e LDK-së? Flet nënkryetari i partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka filluar procesin zgjedhor partiak mirëpo, zyrtarisht askush nuk e ka shpallur kandidaturën e tij.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka filluar procesi zgjedhor mirëpo, deri më tani askush nuk e ka shpallur kandidaturën e tij në Kuvendin e këtij subjekti politik.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së.

“Procesi zgjedhor në LDK tani sapo ka filluar dhe zyrtarisht askush nuk ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së. Kandidaturat zyrtarisht shpallen në Kuvendin e LDK-së. Për të gjitha zhvillimet do të ju njoftojmë me kohë. LDK është konfirmuar se është parti e hapur, ka potenciale të kuadrove dhe do të zhvillojë procedura të plota demokratike zgjedhore”, ka deklaruar Mustafa.

Në anën tjetër, është përfolur shumë që nënkryetari aktual i LDK-së, Haki Rugova, do të kandidojë për postin e të parit të këtij subjekti politik.

Rugova ka thënë për lajmi.net, nuk e ka pohuar e as mohuar nëse do të kandidojë apo jo për të parin e LDK-së.

Ai ka thënë se deri më  tani të gjithë emrat që janë publikuar në medie thjeshtë janë vetëm spekulime.

“Ato nuk janë kandidatura, ato më shumë janë ndoshta spekulime ta quaj, nuk e di. Me aq sa kam parë unë ka njerëz të interesuar që të kandidojnë dhe kjo është e mirë mirëpo, është faza e caktuar kur njerëzit shpallin kandidaturat. Është një çështje të cilën ne tash do të shohim se si po shkon procesi”, ka deklaruar Rugova për lajmi.net.

I pyetur nëse ai do të kandidojë për të parin e LDK-së, Rugova ka thënë se, ai së bashku me partinë e tij kanë një marrëveshje mirëpo, nuk ka dhënë ndonjë detaj tjetër.

“Unë së bashku me partinë e kemi një marrëveshje të përbashkët edhe ashtu është dhe ashtu do të hyjmë në zgjedhje besoj”, ka thënë Rugova për lajmi.net, duke mos dhënë më shumë detaje.

Lajmi.net, që nga e enjtja ka provuar që të kontaktojë me Avdullah Hotin, Vjosa Osmanin, Lutfi Hazirin e Agim Veliun, nëse do të kandidojnë për të parin e LDK-së apo jo, por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur, pavarësisht se këta deputetë është përfolur se mund të kandidojnë për kryetar.