Rivitalizimi i kombinatit metalurgjik “Trepça” është çështje e brendshme dhe jo e dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës. Ata thonë se tanimë kanë plane konkrete për Trepçën dhe se së shpejti pritet të fillojë, siç thuhet, rimëkëmbja e ndërmarrjes.
Çështja e Trepçës u riaktualizua si temë pas një deklarate të zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, e cila siç ishte cituar nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug, kishte thënë se “të gjitha çështjet ndërmjet dy palëve duhet të zgjidhen përmes finalizimit të dialogut”.
Kjo deklaratë e Kocijançiq ndërlidhej me miratimin e Statutit të “Trepçës” nga Kuvendi i Kosovës javën e kaluar.
Ndërkohë, Kocijançiq kishte sqaruar deklaratën e saj duke thënë se “sa i përket çështjes se a është “Trepça” pjesë e dialogut, Bashkimi Evropian, si ndihmës i procesit ka qenë gjithmonë i qartë që rendi i ditës në dialog përcaktohet nga Beogradi dhe Prishtina”.
Statuti i Trepçës i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se miratimi i statutit të Trepçës si shoqëri aksionare ka hapur rrugën e zhvillimit të kësaj ndërmarrjeje.
“Hapi i parë është regjistrimi i Trepçës si shoqëri aksionare dhe pas regjistrimit do të formohet bordi menaxhues i ndërmarrjes dhe pastaj ata do të vinë me projekte që janë më emergjente që mund të përkrahen nga kredi të vogla përmes garancioneve të Qeverisë së Kosovës”.
“Ndërkohë do të bashkëpunojmë me institucione të mëdha kredibile financiare, siç është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ku kam diskutuar me ta dhe kam kërkuar asistencë dhe ndihmë për zhvillimin e ‘Trepçës’, duke përfshirë studimin e gjendjes aktuale të ‘Trepçës’, për hapat e ristrukturimit, për investime si dhe ftesën e investitorëve të huaj për të marrë pjesë në kapital privat në ‘Trepçë’, qoftë përmes shitjes së aksioneve të Qeverisë apo edhe përmes inkuadrimit të kompanisë përmes një kontrate për menaxhim”, bën të ditur Lluka.
Ai thotë se janë forma të ndryshme që janë duke u trajtuar si do t’i qasen rimëkëmbjes së ndërmarrjes “Trepça”, por se të gjitha këto ndërlidhen nga rekomandimet që do të dalin nga analizat që do t’i bëjnë ekspertët ndërkombëtarë.
Megjithatë, sipas tij, urgjente është që disa investime kapitale të vogla të bëhen përmes buxhetit të Kosovës apo një kredie të vogël.
Ndërkohë, sa i përket reagimit të Bashkimit Evropian lidhur me miratimin e Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës, ministri Lluka e quan absurde.
“Kërkesa është absurde ne po flasim për një ndërmarrje publike që është 100 për qind në pronësi të Kosovës. As një diskutim lidhur më këtë çështje që i përket sovranitetit tonë dhe vendimmarrjes tonë nuk do të duhej të ishte në bisedime me Serbinë”, thotë Lluka.
Ai shton se deklarimet e tilla të BE-së nuk do të pengojnë zhvillimin e planeve që ka Qeveria për “Trepçën”, por, se mund të ndikojnë në ardhjen e investitorëve potencial për këtë ndërmarrje.
“Ne do të bëjmë çmos që kjo temë të mos jetë temë e diskutimeve sepse kur flasim në nivelin teknik dhe jo politik edhe pjesa në veri të Mitrovicës ka interesim për zhvillimin e Trepçës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese. Trepça është një ndërmarrje brenda kufijve të Kosovës 80 për qind e aksioneve janë publike të qeverisë dhe 20 për qind të aksioneve janë të punëtorëve të ‘Trepçës’ ku përfshihen edhe qytetarët serbë në veri që janë aksionar dhe nuk shoh asnjë problem në zhvillimin e ‘Trepçës’”, thotë Lluka.
Ndaj deklaratave në Bruksel, ka reaguar edhe Sindikata e pavarur e minatorëve të Trepçës.
Kryetari i kësaj Sindikate Shyqiri Sadiku përmes një postimi në rrjetin social facebook ka shkruar se “’Trepça’ është e minatorëve, Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës. Diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”.
Një ditë më parë edhe Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media ka cilësuar si të papranueshëm reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me miratimin e Statutit të Trepçës nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe përfaqësues të partive politike opozitare në Kosovë reagimet në Bruksel në lidhje me Trepçën i kanë cilësuar të papranueshme dhe të dëmshme për fazën e tashme të bisedimeve me Serbinë.
Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.
“Trepça”, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.