Fjalë Kyçe

Kush janë heronjtë e gjallë të kullës së Shaban Jasharit

Kush janë heronjtë e gjallë të kullës së Shaban Jasharit

Katër burra, të cilët luftuan përkrah Adem Jasharit në kullën e Shaban Jasharit në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, arritën të dalin të gjallë nga kulla dy ditë pas luftimeve, pasi u ishte harxhuar municioni, për t’u bërë heronj të gjallë të kullës, e cila për tri ditë i rezistoi sulmit të forcave të mëdha policore serbe. Ata tregojnë për gjithçka çfarë ndodhi në kullë, fjalët e Ademit dhe të Hamzës, para dhe gjatë sulmit serb dhe për peripecitë për të dalë nga kulla e nga rrethi i hekurt përreth lagjes “Jashari”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për saktësisht 21 vjet nga lufta e lavdishme e Jasharëve, në të cilën ranë heroikisht 56 anëtarë të familjeve të Jasharëve, 20 anëtarë vetëm të familjes së Shaban Jasharit, pak ose fare nuk është folur për djemtë, të cilët kishin shkuar ta ndihmonin Adem Jasharin në kullë pa iu trembur syri nga bombat që qëllonin kullën dhe shtëpitë nga të gjitha anët.

Ata kishin luftuar dy ditë përkrah Ademit, Hamzës, Osman Gecit, Shabanit, por pas dy dite më 6 mars në orët e pasdites atyre u ishte harxhuar municioni.

Ragip Jashari, Bilall Jashari, Shekip Fazliu dhe Bashkim Jashari, nipi i komandantit Adem Jashari, si dhe Halil Jashari, i cili kishte mbetur i vrarë, në tentimin për t’u larguar nga kulla, ata kishin vendosur të largoheshin, sado që ishte rrezik të vriteshin, sepse rrethi ishte i hekurt, ndërsa policë e ushtarë të Serbisë vëzhgonin çdo rrugë të fshatit dhe hapësirën përreth.