Kuvendi i Kosovës sot do të zhvillojë seancë me vetëm një pikë në rendin e ditës.
Me kërkesë të Grupit parlamentar të AAK-së, ligjvënësit do të shqyrtojnë projekt-rezolutën për tri vjet qeverisje të kryeministrit Albin Kurti.
Me anë të kësaj projekt-rezolute ndër tjera do të kërkohet që Qeveria ta përmbyllë mandatin me dorëheqje ose me mocion për shkarkimin e saj.
Seanca do të mbahet në ora 13:00.Qeveria e Kosovës u votua më 22.03.2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.Në anën tjetër, partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja.I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë sonte më 13.05.2024, dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës.
Këto deklarata ngjallën edhe reagime të dy partive opozitare, AAK dhe LDK.Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.