Fjalë Kyçe

Ky është kërcënimi i shërbyesve civil për shtetin

Ky është kërcënimi i shërbyesve civil për shtetin

Pritjet se me miratimin e Ligjit për Paga do të ndalen grevat kanë dalë të gabuara pasi jo të gjitha sindikatat janë të kënaqura me këtë ligj. Madje shërbyesit civilë thonë se ligji nuk duhet të nënshkruhet nga presidenti, në të kundërtën ata kërcënojnë me greva deri në paralizimin e shtetit.

Ligji i Pagave i miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt të këtij viti ka ngjallur pakënaqësi te sindikata të ndryshme në vend, të cilat kanë paralajmëruar greva dhe protesta në rast se ky ligj dekretohet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Për shkak të pakënaqësive shërbyesit civilë në Kosovë ditë më parë ia kanë dërguar një letër presidentit Hashim Thaçi, ku kanë kërkuar nga ai që të mos e dekretojë Ligjin për Paga. Ata madje kanë paralajmëruar paralizë totale të shtetit në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Këtë gjë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës Mursel Zymberi, i cili ka thënë për “Zërin” se në Ligjin për Paga ka pasur shkelje të mëdha, me ç’rast edhe ka kërkuar që të bëhet nivelimi i pagave.

“Kërkesat tona janë që të bëhet nivelimi i pagave me shërbyesit tjerë publikë dhe njohja e përvojës së punës së të gjithë punëtorëve të dëbuar nga puna në sistemin e kaluar. Ne kemi bërë kërkesë te presidenti i vendit që këtë ligj të mos e dekretojë. Kërkesën e njëjtë ua kemi dërguar edhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it dhe kemi kërkuar edhe nga avokati i popullit që të merret me të e ta hetojë, sepse me të vërtetë ka shkelje të rënda dhe se nuk do të duhej të kalonte ky ligj në formën qysh ka kaluar në Kuvend”, ka thënë Zymberi.