Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është deklaruar edhe njëherë për idenë e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse. Ai ka pranuar se LDK mund të futet në qeveri gjithëpërfshirëse me të vetmin kusht – pjesëmarrjen e të gjitha partive politike.
Fillimisht Haziri ka thënë se ka qenë qëndrimi i Isa Mustafës dhe kryesisë së LDK-së për shkak se sipas tij nuk është moment i përshtatshëm për zgjedhje të reja të Kosovës.
“Në fakt, është qëndrim i kryetarit të LDK-së (Isa Mustafa) dhe i Kryesisë së LDK-së në takimet që para dhjetë ditësh ne kemi organizuar me strukturat tona, është një hap përtej formulës legjitimiteti para dialogut. Duke parë që në kohën në të cilën po angazhohemi momentalisht dhe përafrimi i zgjedhjeve brenda BE-së, në fund të majit të këtij viti, po krijon një ambient jo të favorshëm për zgjedhje në Kosovë”.
“Legjitimiteti dhe dialogu është oferta e fundit që LDK-ja u ka bërë partive në qeverisje, sepse ata udhëheqin tri institucionet kryesore në vend dhe deri më tani kanë arritur të prodhojnë vetëm zhurmë politike dhe të shkaktojnë një lloj frike politike lidhur me negociatat Kosovë-Serbi, sepse pritja e rezultateve është frikë te njerëzit, do të jetë e dëmshme për Kosovën. Legjitimiteti, ose përmes zgjedhjeve ose përmes marrëveshjes politike, nuk ka rrugë tjetër që mundet t’i jepet, sepse ne nuk mund t’ia falim legjitimitetin tonë askujt”.
“Rikonfigurimi i Qeverisë, rikonfigurimi i Kryesisë së Kuvendit, rikonfigurimi i strukturave të dialogut është ajo që ne e shohim në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse nga të gjitha partitë politike që janë në Kuvendin e Republikës, të gjitha partitë, pa përjashtim. Ne mendojmë se duhet të ndërtohet një kulturë e unifikimit për interes të Republikës në përmbylljen sidomos të proceseve të rënda, që tash po lidhen me pritjet për prodhimin e një dokumenti ligjërisht të obligueshëm mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Haziri për REL..
Haziri kur është pyetur për kushtin e LDK-së që të futet në qeveri gjithëpërfshirës, ka përmendur pjesëmarrjen e të gjitha parive politike dhe riorganizimin e Kryesisë së Kuvendit.
“Për ne është interes i madh pjesëmarrja e të gjitha partive politike. Le të themi, nuk është detyrimisht një kusht që ne mund ta përmendim, por ne mendojmë, jemi të bindur se pjesëmarrja e të gjitha partive politike në Kuvend – këta që kanë mandat politik – riorganizimi i Kryesisë së Kuvendit dhe rishikimi i strukturave të dialogut, krijon një mundësi që të gjithë të marrin përgjegjësinë e vet deri në përmbylljen (e procesit të dialogut). Po ashtu, detyrimisht duhet të ketë një marrëveshje parimore për zgjedhje të hershme”, ka deklaruar ai.