Fjalë Kyçe

Ky është numri i jetëve që mori vapa e kësaj vere

Ky është numri i jetëve që mori vapa e kësaj vere

Ministrja franceze e shëndetësisë, Agnes Buzyn, ka thënë se mbi 1500 njerëz kanë vdekur nga dy valët e vapës që e përfshinë Francën këtë verë.

Megjithatë, kjo shifër është shumë më e vogël në krahasim me numrin e viktimave të vapës së tmerrshme të vitit 2003, kur në gusht të atij viti në Francë kishin vdekur rreth 15 mijë njerëz.

“I kemi 1500 vdekje të regjistruara, kjo është më shumë se numri mesatar i viteve të kaluara, por dhjetë herë më i vogël se shifra e viktimave të vitit 2003”, tha ministrja Buzyn në radio.

Valët e vapës këtë vit e goditën Francën në qershor dhe korrik. Më 28 qershor, në këtë shtet u thye rekordi i temperaturës më të lartë kur në pjesën jugore të vendit u regjistrua temperatura prej 46 gradë Celsius, shkruan The Guardian.

Përderisa vapa e vitit 2003 kishte zgjatur 20 ditë, dy valët e vapës të këtij viti zgjatën gjithsej 18 ditë. Vala e dytë e vapës e përfshiu një pjesë më të madhe të Francës sesa vala e parë.

Ministrja shtoi se masat parandaluese të autoriteteve ndikuan që numri i viktimave të jetë shumë më i vogël se shifra e vitit 2003.

Vapa e vitit 2003 shkaktoi më së shumti viktima në historinë e Francës. Rajonet më të goditura ishin pjesa qendrore dhe Parisi me rrethinë.