Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)”, bëhet e ditur se në Kosovë janë gjithsej 43 persona me emrin “Pavarësi” (42 vajza dhe një djalë), shkruan Gazeta “Zëri”.
Dhjetë vjet para se Kosova të shpallej shtet në jetë kishte ardhur Pavarësia.
Një vajzë e lindur gjatë kohës së luftës, më 1998-n, ishte pagëzuar nga gjyshi i saj me emrin që simbolizonte Kosovën e pavarur. Dëshira e etur për të qenë të lirë i kishte shtyrë familjarët e saj që 20-vjeçares t’ia vënin këtë emër, të cilin mban sot.
Tash kur janë bërë 11 vjet prejse Kosova është bërë shtet Pavarësie Kryeziu nga fshati Xërxë i Rahovecit thotë se emrin, që i ishte vënë në kohën kur Kosova po digjej e po shkatërrohej nga agresioni serb, nuk do ta ndërronte me asnjë emër të botës.
“Kam lindur në muajin maj të vitit 1998. Në atë kohë ishte luftë dhe e gjithë Kosova ishte nën ndikimin e forcave serbe. Më kanë treguar se atëherë ishte vështirë të vendoste dikush emra të tillë, sepse sigurisht se të gjithë njerëzit mendonin vetëm si të çliroheshin nga ajo torturë”, tregon ajo gjatë bisedës.