Fjalë Kyçe

Haziri: LDK-ja ka vendosur standardin, cili kandidat ka një votë më shumë e udhëheq qeverinë

Haziri: LDK-ja ka vendosur standardin, cili kandidat ka një votë më shumë e udhëheq qeverinë

Në QNR, ende s’ka përfunduar numërimi i votave me kusht, por tash, janë shtuar rinumërimet. Janë 530 vendvotime të reja që sot KQZ-ja mori vendim të rinumërohen.

Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një postim në facebook thotë se ende duhet pritur për fituesin, sepse ende s’janë numëruar të gjitha votat.

Dhe gjithashtu, ka theksuar se “LDK-ja ka vendosur standard se cili kandidat ka veç një votë më shumë, udhëheq qeverinë”.

“Në Kosovë ka fitu opozita, jo individi e as grupi politik. Nëse e bëjmë një përkufizim, i bie që qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim dhe ia kanë besu LDK’së dhe LVV’së këtë rezultat”, shkruan Haziri.

Por, thotë se këto dy subjekte politike, janë fitues të vegjël.

“Fitues të vegjël janë LDK dhe LVV. Ne po e presim rezultatin final të zgjedhjeve sepse votat nuk janë numëruar deri në fund. Cilado parti që del fituese, duhet të sillen përgjegjshëm dhe kokëulur karshi këtij rezultati sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike. LDK ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë, ai e udhëheq qeverinë!”, ka shkruar Haziri.

Por të kujtojmë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që nga zgjedhjet e 6 tetorit mori më së shumti vota, ka thënë se për LVV-në, posti i kryeministrit është i panegociueshëm.