Fjalë Kyçe

KRIK: Zvonko Veselinoviq i fotografuar me vëllanë e Aleksandar Vuçiqit

KRIK: Zvonko Veselinoviq i fotografuar me vëllanë e Aleksandar Vuçiqit

Biznesmeni nga veriu i Kosovës dhe organizatori për vënien e barrikadave në veri, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i presidentit të Serbisë, Aleksandra Vuçiq, janë fotografuar bashkë në një restorant në Kopaonik, shkruan portali hulumtues KRIK, i cili i ka publikuar fotografitë.

“Në fund të marsit 2015, Crvena Zvezda luante ndeshjen e basketbollit kundër Albas gjermane për plasman në finale… Ngjarjet në terren i përcillnin pesë meshkuj në ekran në restorantin “Salash 137” në Kopaonik… e në mesin e tyre kanë qenë edhe Veselinoviq dhe Andreja Vuçiq”, thotë portali, transmeton Koha.net.

Në bisedën telefonike me gazetaren e KRIK-ut, Veselinoviq ka mohuar të jetë parë me Andrean në Kopaonik. “Unë me të jam takuar një herë me tung-tung deri sa kanë qenë ende në opozitë (para vitit 2012). Nuk kam pasur dhe as që kam kontakt me të”, ka thënë ai.

“Nëse dikush thotë të më ketë parë me të, gënjen. Kjo është edhe një dezinformatë e juaj si dhe çdo tekst për mua”, ka shtuar Veselinoviq.

Kur gazetarët e KRIK-ut thanë se e kanë fotografinë nga takimi i tyre, Veselinoviq tha: “Super, qitni fotografitë në medie. Nuk jam parë me të, qëndroj prapa kësaj”.

Andrej Vuçiq nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetarëve të KRIK-ut që u përpoqën të vënë kontakt me të edhe me ndihmën e këshilltares së presidentit për medie Suzana Vasileviq, por ajo u përgjigj: “Vëllai i presidentit nuk është funksionar shtetëror, ashtu që ne nuk jemi adresa për kontakt me të”.

Mysafiri që ka bërë foton u ka sqaruar gazetarëve se ishte i habitur duke i parë ata bashkë pasi në gazeta kishte lexuar se Veselinoviqi përshkruhej si kriminel. Kishte fotografuar me telefon celular dhe një kohë të gjatë ishte frikësuar t’ia tregojë ose t’i dërgojë ndokujt. Nuk kishte dëgjuar ç’kishin biseduar, ka thënë ai.