Lumir Abdixhiku ka vazhduar të shpalosë reformat që LDK do të ndërmarrë gjatë qeverisjes nga Vjosa Osmani.
Sipas tij, në sektorin privat punëtorët janë të diskriminuar duke u detyruar të punojnë më shumë se 8 orë në ditë, pra punë me orar të zgjatur dhe pa kompensim. Sipas Abdixhikut, rezultat më i mirë edhe nuk është pritur kur dihet se në administratën shtetërore më shumë ka pasur zëvendësministra e këshilltarë se sa inspektorë të punës. Administrata shtetërore ka të punësuar vetëm 40 inspektorë të punë, të cilët mbulojnë tërë territorin e Kosovës.
Abdixhiku ka shpalosur informacione të programit të LDK-së të cilat synojnë të adresojnë këto padrejtësi në sektorin privat. Ndër veprimet e menjëhershme sipas tij do të jenë dhjetëfishimi i numrit të inspektorëve, nga 40 në mbi 400 inspektorë. Sipas Abdixhikut, inspektimi i vazhdueshëm i sektorëve senzitiv, siç janë shërbimet, ndërtimtaria, siguria e fusha të ngjashme do të kenë vëmendje më të madhe të shtetit. Kjo sepse në këto sektorë ekzistojnë kushte tejet të rënda të punës si dhe ka mungesë të kompensimit të orëve shtesë, orëve të ndërrimit të tretë, mungesë të kushteve të sigurisë në vendin e punës e shkelje dhe keqpërdorime të ngjashme që nuk përkojnë me të drejtat e punëtorit.
Në fund, Abdixhiku ka siguruar se Kosova në Qeverisjen e LDK-së do të jetë vend i të drejtave të punëtorëve, vend i mundësive për zhvillim të drejtë të biznesit dhe vend ku do të krijohen vende pune të dinjitetshme për qytetarët e Kosovës.