Fjalë Kyçe

LDK-ja duhet të bëhet pjesë e dialogut

LDK-ja duhet të bëhet pjesë e dialogut

Lidhja Demokratike e Kosovës në parim duhet të bëhet pjesë e ekipit të krijuar nga Qeveria e Kosovës për dialog me Serbinë, pasi është partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës. Kështu ka deklaruar për Gazetën Alo, analisti politik, Fadil Lepaja.

Të shtunën e javës së kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën me parime dhe grupin për dialog me Serbinë. Në këtë grup u la hapësirë edhe për pjesëmarrjen e opozitës dhe shoqërisë civile.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e kanë  përkrahur rezolutën dhe ekipin negociator për dialogun Kosovë-Serbi, madje ata e kanë lëshuar seancën, kur është hedhur rezoluta në votim.

Mirëpo, nga opozita pjesë e këtij grupi negociator dhe votues i rezolutës ishte Partia Social Demokrate, një fraksion i dalë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët edhe ishin propozuesit e rezolutës.

Lepaja, ka kërkuar nga LDK-ja që në parim të bëhen pjesë e ekipit negociator.

“Parimisht LDK-ja do të duhej të ishte pjesë e ekipit negociator sepse ajo aktualisht është partia më e madhe në parlament”, ka thënë Lepaja, shkruan Gazeta Alo.

Sipas Lepajës, opinionet brenda LDK-së janë të ndara, ku një pjesë janë pro idesë së Presidentit Hashim Thaçi për ndryshim të kufijve, ndërsa pjesa tjetër jo.

“Por duke qenë se opinionet janë të ndara ndër deputetë dhe udhëheqësit e LDK-së, ku një pjesë janë të afërt me idenë e ndryshimit të kufijve, pra me Presidentin, ndërsa pjesa tjetër janë me Qeverinë, përkatësisht me idenë se kufijtë nuk duhen prekur, megjithatë, z. Thaçi nuk ka autoritet të negocioj në emër të Kosovës”, ka vazhduar më tutje Lepaja.

Lepaja më skepticizëm e sheh edhe ndërmjetësimin e Federica Mogherinit e cila është Përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian për Politika të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë dhe lehtësuese e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Para opinionit kosovar, ka vazhduar Lepaja, edhe njëanshmëria e zonjës Mogherini është denoncuar.

“Para opinionit kosovar edhe njëanshmëria e zonjës Mogherini është denoncuar. Sidomos shihet me skepticizëm orientimi i saj i dikurshëm pro-rus i ish-komunistes italiane”, ka potencuar Lepaja.

Anshmëria ndaj interesave të Serbisë, ka përfunduar Lepaja, dhe projektit euro-aziatik për ndryshimin e kufijve janë të dukshme./GazetaAlo/