Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, i cili sot ka thënë se e kupton reagimin e liderëve të Serbisë për taksën prej 100 për qind, por nuk e kupton reagimin e LDK-së dhe të Presidentit Hashim Thaçi, që, sipas tij, kushtëzojnë dialogun me heqjen e taksës.
“z. Krasniqi e paska humbur rrugën, sepse LDK në asnjë rast nuk e ka vënë dialogun në relacion me taksën. LDK është deklaruar se dialogu duhet të ndërpritet dhe të kushtëzohet me ndërprerjen e fushatës së ndyrë serbe ndaj Kosovës. LDK, poashtu, është shprehur se dialogun duhet ta zhvillojë një qeveri që përfaqëson shumicën meritore në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe jo Qeveria e pakicës. Pra, LDK po insiston për legjitimitet para dialogut”, thuhet në reagimin e LDK’së.
“LDK është shprehur, poashtu, se dialogu nuk është çështje urgjente dhe se para se të fillojë dialogu duhet të arrihet një pajtueshmëri e gjerë e spektrit politik në Kosovë. Prandaj, as që na ka rënë ndërmend të kërkojmë heqjen e taksës, sepse ne nuk na është ngutur”, thekson reagimi i partisë së Isa Mustafës.
“Partisë së z. Krasniqi i është ngutur ta drejtojë dialogun, andaj tentojnë që këtë veprim të pa menduar mirë – dhe sipas nesh të gabuar – të mundohen ta fshehin duke e sulmuar pa asnjë bazë LDK-në”, thuhet në reagim.
“Sa i përket Presidentit Thaçi, ai ka qenë kryetar shumëvjeçar i z. Krasniqi dhe i z. Limaj. Edhe tani po i shkojnë pas në dialog. Nuk po i shkon LDK-ja, as me taksë, e as pa taksë”, përfundon reagimi i LDK’së.