Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në një konferencë për media ka treguar ka komentuar publikimin e Raportit të Progresit për Kosovën, nga Komisioni Evropian (KE).
Zemaj tha se në bazë të raportit vendit i mungon vullneti politik për avancimin e rrugës Euro-Integruese.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është e ngarkuar me ministra e zëvendësministra të cilët janë të përfshirë në afera korruptive.
“Raporti për Kosovën ka vlerësuar se vendit tonë i ka munguar vullneti politik për avancimin e rrugës Euro Integruese. LDK-ja i ka tërhequr vërejtjen disa herë për mungesë të vullnetit politik koalicionit PAN. Është evidente që avancimi do të jetë i pamundur kur kemi parasysh se korrupsioni është përhapur nëpër të gjitha vendet institucionale dhe sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimi të plotë politikë. Qeveria është e ngarkuar me ministra dhe zv ministra të përfshirë në afera dhe skandale korruptive. Aferat që dalin tash nga mediat e forcojnë këtë që ne kemi potencuar. Komisioni Evropian, rekomandon që Kosova duhet të ndërtoj konsensus politik për ta avancuar rrugëtimin e saj integrues”, ka thënë Zemaj.
Siç tha Zemaj, shqetësuese për vendin është moszbatimi i programit të MSA-së.
Edhe deputetja Vjosa Osmani theksoi se Raporti për Zgjerimin, e ka cilësuar Kosovën si shtet të kapur.
“Sa i përket sundimit të ligjit një gjë është e qartë që politizimi i skajshëm dhe presioni mbi gjyqësorin dhe prokurorin mbetet pengesa themelore që Kosova të shënoj progres në këtë drejtim. Madje tregohet që ka shpresa shumë të vogla që mund të arrihet zbatimi i sundimit të ligjit pasi Kosova nuk dëshmon që ka një elitë politike që nuk bën presion mbi këtë sistem”, tha ajo.
Osmani potencoi se imazhi i Kosovës në botë asnjëherë s’ka qenë më i shkatërruar dhe i keq.
“Të gjitha këto dëshmojnë se për shkak të dështimeve në sferën e brendshme imazhi i Kosovës në botë asnjëherë s’ka qenë më i shkatërruar dhe i keq. Kjo ka rezultuar dhe me mungesën e njohjeve në këto dy vite. Edhe pse dialogu shkurtimisht trajtohet në raportin e progresit, është e qartë se arsyeja themelore pse i gjithë ky proces ka dal jashtë binarëve dhe tani po përdoret nga Serbia për ta dëmtuar Kosovën është për shkak se ka përfaqësues shtetëror të vendit tonë që kanë arritur në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës dhe të parlamentit që ta vendosin statusin e Kosovës në tavolinë duke kontestuar për kufijtë e shtetit”, ka thënë Osmani.