Fjalë Kyçe

Le Pen: Nëse fitoj zgjedhjet, nxjerr Francën nga komanda drejtuese e NATO-s

Le Pen: Nëse fitoj zgjedhjet, nxjerr Francën nga komanda drejtuese e NATO-s

Kandidatja presidenciale franceze, Marine Le Pen, thotë se do të propozojë që marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë të jenë më të ngushta nëse fiton balotazhin kundër Emmanuel Macron.

Në një konferencë për mediat, politikania e ekstremit të djathtë tha se duhet një qasje e re strategjike mes dy shteteve, pasi të ketë mbaruar lufta në Ukrainë. Ajo shtoi se do të nxirrte Francën nga struktura komanduese e NATO-s nëse do të fitonte. Por tha gjithashtu se do të vijonte të respektonte paktin e NATO-s sipas të cilit nëse sulmohet një shtet anëtarë, shihet si sulm ndaj të gjithë aleancës.

Rusia ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s drejt kufirit të saj, specifikisht në vendin fqinj, Ukrainën, transmeton a2cnn. Pavarësisht kësaj, NATO i ka dërguar armatime Ukrainës gjatë konfliktit të nisur më 24 shkurt.

Më 24 prill, Le Pen do të garojë kundër Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Francës. Kritikët e akuzojnë atë që ka lidhje të ngushta me Rusinë. Ajo e ka dënuar publikisht pushtimin e Ukrainës, por më parë është takuar personalisht me Putin, gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2017. Partia e saj gjithashtu ka marrë borxhe në Rusi.