Fjalë Kyçe

Lekaj i bie pishman për deklaratën ndaj ambasadorit të Zvicrës

Zyra e ministrit Pal Lekaj thotë se mediat e kanë keqinterpretuar deklaratën e tij të dhënë dje në emisionin Pressing për ambasadorin zviceran. Që ta ricitojmë edhe njëherë Lekajn, ai fillimisht tha se secili ambasador me aso deklarate “ish kthy në shpi”. I pyetur se a po mendon për largim të ambasadorit, Lekaj tha se “besoni sikur t’isha ai që marrë vendime sot ia kisha çu letrën”.

Mëngjesin e sotëm, në adresë të Lekajt kanë shkuar dhjetëra reagime për fjalët e thënë një natë më parë për ambasadorin e Zvicres, Jean-Humbert Lebet.

Ndërkaq vërshuan reagimet e ambasadave të tjera kryesore, të cilat i dolën në krah Lebetit që të mërkurën tha në Skenderaj se “Zvicra po u ndërton ujësjellës, ndërsa ju po paguani veteranë të rrejshëm”.

Të premten zyra e Pal Lekajt tha se është keqinterpretuar deklarata e ministrit, e dhënë një natë më parë në Pressing.

“Lekaj, në asnjë moment nuk ka kërkuar largim të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, e aq më tepër të kundërshtoj një shtet mik për Kosovën. Në deklarimin e tij, Lekaj ka theksuar se do të duhej një letër sqaruese për akuzat se veteranët në Kosovë janë të rrejshëm, për çka institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë një vendim”, thuhet në komunikatë.

Mirëpo intervista me Lekajn është e incizuar e aty është edhe deklarata e tij e plotë rreth fjalëve të ambasadorit Lebet.

“Edhe ambasadori duhet me qenë i kujdesshëm, cfarëdo ambasadori. Një ambasador i joni sikur të ishte sjellë, s’po du me e gjyku askënd, në shtetin tjetër, besom se sot ndoshta ishte kthy në shpi”, ka thënë ministri në Pressing.

Lekaj, i pyetur se a duhet të largohet ministri zviceran, ai thë se  “Besoni sikur t’isha ai që marrë vendime sot ia kisha cu letrën. Nëse ka argumente duhet me u shtru aty ku është, por jo para masës me e nxit masën”.

Tutje ai ka provuar t’ia tregoj vendin ambasadorëve dhe deklaratave të tyre, duke thënë se ambasadori zviceran nuk është dashur të flas para qytetarëve të Skenderajt e t’i quaj veteranët mashtrues.

“Nuk është ambasadori me u marrë me të gjitha ato. Unë përulëm para ndihmave sepse nëse dikush ka marrë fonde prej Zvicres jam unë. Por publikisht para qytetarëve ta lidhë një cështje të investimeve me një cështje që është e ndjeshme dhe t’i quaj mashtrues veteranët është e pakuptimtë”, ka thënë Lekaj.

“Si qytetar, jo si ministër, përulëm para atyre që e kanë ndihmuar Kosovën, por një ambasador i di përgjegjësitë e veta. Janë bo si fmija, kujt i teket me na thënë ckado, me na mshu sa t’munën edhe mos me majtë përgjegjësi”, tha mbrëmë Lekaj.