Kundërshtimet për Ligjin e Pagave po vazhdojnë edhe pas miratimit të tij në Kuvend. Ndërkohë që Ligji për pagat është dërguar për dekretim te presidenti Hashim Thaçi, kundër këtij ligji nesër nga ora 11:00 para Qeverisë së Kosovës do të protestojnë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ata të KOSTT-it, të cilët po kërkojnë të hiqen nga Ligji i Pagave.
Nënkryetari i Sindikatës së Re të Punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë për KosovaPress se deri te protesta kanë ardhur pasi që nuk u është dhënë asnjë sqarim se a janë në ligjin e pagave apo jo, ndonëse e dinë se janë të përfshirë.
Ata një letër për sqarim kanë dërguar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe në atë të Administratës Publike.
“Nuk na kanë kthyer përgjigje faktikisht asnjë përgjigje me shkrim përveç me media nuk kanë kthyer, dhe realisht ne e kemi parë që jemi në ligjin për paga ku përcaktohen kompanitë, të cilat me kapital mbi 50 për qind me kapital të shtetit hyjnë në këtë ligj, dhe ne e kemi vërejtur, mirëpo diçka tjetër është vërejtur nga kryesuesi i komisionit, Nait Hasani në parlament dhe na ka bërë përshtypje me bë ndonjë interpretim kështu që ne kemi vendosur për protesta ditën e enjte”, ka thënë Llumnica.
Sindikalisti i KEK-ut ka bërë të ditur se nëse punëtorët e KEK-ut vazhdojnë të jenë pjesë e Ligjit të Pagave, Kosova do të rrezikojë të mbetet në terr.
“Pagat i marrim prej djersës tonë, prej prodhimit të energjisë elektrike jo nga buxheti i shtetit…Në rast se bëhet kjo me kufizimin e pagave prej 1 deri në 7, ne kemi rangje shumë që nuk mund t’i rendisim ndryshe, përveçse atë nivelin më të ulët, dhe kuadrot tona ikin, deshëm apo nuk deshëm ikin prej KEK-ut dhe de-fakto Kosovën edhe pa greva e kaplon terri”, ka thënë ai.
Përkrahje për protesta punëtorët e KEK-ut kanë marr edhe nga bashkëkolegët e tyre që punojnë në KOSTT.
Kryetari i Sindikatës së KOSTT-it, Adem Gashi u shpreh se punëtorët e kësaj ndërmarrje nuk duhet të përfshihen në Ligjin e Pagave pasi që ata nuk e dëmtojnë buxhetin e vendit.
Ai nën një prononcim për KosovaPress ka shfaqur frikën se në rast nuk bëhen ndryshime në amendamente përkatëse të këtij ligji shumë inxhinierë do të braktisin punën.
“Nëse nuk ndërmerret asgjë do të vazhdojmë me hapa të tjerë të shohim pastaj me greva…Ne mendojmë se është shkelur ligji, nuk mendojmë të ndërrohet ligji, por disa amendamente të ndërhyhet të rishikohen ligji të kthehet në Kuvend dhe të rishikohet ligji…Një ligj i tillë ne na dëmton pasi që ne si KOSTT jemi një ndërmarrje shumë rentabile dhe nëse na futin në Ligjin e ri të pagave unë besoj se një pjesë e madhe e inxhinierëve, profesionalistëve do të ikin nga KOST-i”, u shpreh Gashi.
Thirrje për mos dekretim të Ligjit të pagave nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kanë bërë që të dy sindikatat simotra.
Nesër protesta kanë paralajmëruar edhe punëtorët e Shërbimit Korrektues derisa sot Shoqata Sindikale e kontrollerëve të trafikut ajror, përmes grevës njëorëshe kanë shprehur pakënaqësitë ndaj Ligjit të pagave.
Kujtojmë se të pakënaqur me Ligjin për paga janë shprehur disa sektorë publik. Pakënaqësia e tyre ka rezultuar me protesta e greva, ku shquhen ato të mësimdhënësve dhe të mjekëve.