Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka deklaruar sot se befasia e zgjedhjeve të 6 tetorit do të jetë koalicioni i tyre në krye me partinë që ai udhëheq.
Limaj në takimin me strukturat e Nismës në Skenderaj edhe një herë iu ka bërë thirrje konkurrentëve të tij për kryeministër që të dalin para qytetarëve për të treguar, siç thotë ai ofertën qytetarëve.
Ai foli edhe për kandidatët e tjerë për kryeministër, teksa tha se nuk duhet të lejohen eksperimente me Kosovën.
“Mos të fshiheni pas partive të dalim në popull dhe të matemi, kush e meriton të qeverisë me Kosovën. Hajde dalim para qytetarëve tonë, të tregojmë çka ne bëjmë nëse e marrim qeverinë e vendit. Ejani t’i japim përgjigje qytetarit të vendit dhe pastaj ai të vendosë për votën. Le ta sheh njerëzit e Kosovës se çfarë përgjigje kemi për tema të ndryshme. Kush jemi ne që nesër do të qeverisim vendin”, tha ai.
Limaj tha se gjërat e mëdha Kosovës i kanë ardhur nga lëvizjet e vogla në dukje, por të mëdha në qëllim, teksa theksoi se Nisma do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve.
“Gara veç sa ka filluar do të shiheni në fund. Nisma Socialdemokrate do të jetë befasia spektakolare e këtyre zgjedhjeve”, tha ai.
Kandidati për kryeministër edhe para strukturave në Skenderaj iu paraqiti pesë prioritetet e tyre qeverisëse, të cilat janë zhvillimi i bujqësisë, paketa sociale, sigurimet shëndetësore, fuqizimi i drejtësisë fuqizimi i prodhimeve vendore dhe diaspora.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi tha se vetëm Nisma Socialdemokrate do të bëjë të ndihet mirë çdo qytetar, teksa u shpreh optimist se politikat socialdemokrate janë në interesin e çdo qytetari. Ai gjithashtu thuri lavde për kryetarin e partisë, Fatmir Limajn, duke e cilësuar si kandidatin më të mirë për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Jam i bindur se angazhimi i juaj, te puna juaj me qytetarët duke i sqaruar ata me politikat e socialdemokracisë se koha është që parimet e socialdemokracisë, politika socialdemokracisë. Programi ekonomik dhe zhvillimor i socialdemokracisë janë në interesin e çdo qytetari të Kosovës që të vijmë në pushtet dhe të tregojmë vlerat tona”, tha ai.
Në këtë takim po ashtu u bën të ditur kandidatët për deputete të Nismës në Skenderaj, të cilët janë Sanije Rexha, Xhevdet Smakiqi, Merita Dervishi dhe Astrit Gjinovci, Egzona Muharremi, e për të cilët u kërkua që të votohen masivisht.