Sot në portin e Durrësit është hapur Zyra Doganore e Kosovës. Në hapjen e kësaj zyre ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, dhe Koordinatori Kombëtar i dy qeverive, Fatmir Limaj.
Ky i fundit ka thënë është jashtëzakonisht i kënaqur që vendimet të cilat janë marrë në mbledhjen e nëntorit në Pejë po realizohen.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që nga katër vendimet, të cilat janë marrë në mbledhjen e dy qeverive, sot jetësuam vendimin e dytë. I pari ka qenë integrimi i kufijve që ka filluar këtë vit e që do përfundojë tërësisht në mars, ndërsa sot Dogana e Kosovës po kthehet në portin e Durrësit”, ka shkruar Limaj.
Ai ka paralajmëruar se edhe vendimet tjera do të realizohen shpejt.
“Kjo tregon se takimet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri nuk janë thjesht politike e publike, siç janë komentuar, por kemi kaluar në veprime konkrete të cilat kanë për objektiv mirëqenien, lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve, integrimin. Hapja e Zyrës Doganore është lajm i jashtëzakonshëm për ekonominë e Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe përfundimisht do ta lehtësojë e mundësojë qarkullimin e lirë e pa pengesa e pa burokraci”, ka shtuar Limaj.
Zv.kryeministri Limaj e ka konsideruar si projektin të dytë të më rëndësishëm pas autostradës, hapjen e kësaj zyre doganore në portin e Durrësit.