Një foshnjë ka vdekur në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ditën e hënë, foshnja ishte dërguar në klinikë pasi kishte lindur më datën 15 tetor në një banesë në Prishtinë.
Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrije Ismaili ka thënë për Telegrafin se foshnja është pranuar në klinikë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Ju informojmë se foshnja e gjinisë mashkull është pranuar në Klinikën e Neonatologjisë, po të njëjtën datë 15.10.2023 në ora 22:10 në përcjellje të nënës dhe dajës. Në pranim foshnja ka qenë në gjendje të rëndë e zbehtë, pa frymëmarrje spontane, pa tone të zemrës, me kordon umbilikal të pa përpunuar profesionalisht. Foshnja reanimohet, intubohet, ventilohet dhe bëhet masazhe kardiake dhe vendoset në ventilim mekanik”, ka treguar ajo.
Më tej, drejtoresha tha se përkundër masave që kanë ndërmarrë, foshnja ka vdekur më 16 tetor, një ditë pas pranimit në klinikë.
“Gjendja klinike e foshnjës ka qenë shumë e rëndë, po ashtu edhe analizat laboratorike kanë indikuar gjendje të rendë (acidoze respiratore, metabolike, anemi dhe në ekzaminime plotësuese: echo e trurit- edeme trunore). Është bërë trajtimi sipas të gjeturave klinike dhe laboratorike. Përkundër të gjitha masave reanimuese foshnja exiton me datën 16.10.2023 në ora 06:15min”, theksoi Ismaili.
Më tej, ajo deklaroi se foshnja është transferuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, në përcjellje të policisë, punëtores sociale, personelit neonatal dhe familjarëve.
Lidhur me rastin sot ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Nga Klinika e Gjinekologjisë është pranuar informata për një vdekje të një foshnje e cila ishte pranuar në klinikë më datë 16.10.2023 rreth orës 06:15. Lidhur me rastin është intervistuar dëshmitari mashkull kosovar i cili ka deklaruar se më datë 15.10.2023 rreth orës 21:30 motra e tij e ka lindur foshnjën në banesën e saj dhe më pas është dërguar në QKUK”, thuhet në njoftim.