Lista Serbe reagoi sot ndaj një letre të hapur që kryetari i SLS Sllobodan Petroviq i dërgoi presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke vënë në dukje se Petroviq ‘shiti vendin dhe popullin në një kohë fatale dhe se në atë letër ai paraqiti një sasi të madhe gënjeshtrash’.
Në deklaratë thuhet se Petroviq, partia e të cilit është “fryt i blasfemisë natyrore të ambasadave perëndimore dhe Hashim Thaçit në shfaqjen artificiale të multietnicitetit në Kosovë, sulmoi Listën Serbe dhe Vuçiq me shpresën se askush nuk do t’i përgjigjet atij dhe t’ia kujtojë atij se sa është i dëgjueshëm ndaj partive shqiptare dhe mentorëve të tij”.
Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS), Sllobodan Petroviq, i është drejtuar me një letër të hapur presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas sulmeve publike që i kishte bërë ky i fundit lidhur me votimin e tij për ushtrinë e Kosovës, duke thënë se ditën kur është bërë votimi ai ka qenë në Paris dhe jo në Kuvend.
I pari i SLS, parti kjo e cila së fundi ka marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, pas shkarkimit të Nenad Rikallos nga Lista Serbe, ka akuzuar Vuçiq se po justifikon dështimet e Listës Serbe duke e sulmuar atë si kryetar të SLS.
Ai ka demantuar pohimet e Vuçiq se ka votuar pro platformës së Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë, duke thënë se ka abstenuar në seancë, gjë e cila është shumë lehtë për ta verifikuar.
Petroviq po ashtu hedh poshtë pretendimet e Vuçiq se ka bërë kuorum në seancën e Kuvendit të Kosovës me rastin e miratimit të platformës, duke thënë se atë ditë kanë qenët të pranishëm deputetë të mjaftueshëm, të cilët edhe pa praninë e tij do ta bënin kuorumin.
Ndërsa, ka përsëritur se ministrja e re e Bujqësisë Diana Zhiviq nuk është organizatore e protestave “1 në 5 milionë” në Graçanicë, dhe se Vuçiq nuk është duke thënë të vërtetën.
Petroviq ka siguruar presidentin serb Vuçiq se sikur SLS të organizonte protesta në Graçanicë, do të merrnin pjesë mijëra njerëz dhe jo vetëm pesë-gjashtë sish.