Mbrëmjen e 6 shkurtit, Policia e Kosovës ka kryer një aksion në kryeqytet, ku ka mbyllur lokalet e natës dhe ka larguar konsumatorët, për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike. Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës ka reaguar pas këtij aksioni të policisë.
Ata kanë thënë se do duhej të shpërbleheshin për faktin se punësojnë me mijëra të rinj, e jo të gjobiten. Zyra për media e PK-së ka thënë se aksioni ka ardhur si rezultat i ankesave të shumta të banorëve karshi zhurmës së këtyre lokaleve
Në kryeqytetin e Kosovës, ka qindra lokale ku të rinjtë kalojnë kohën e lirë dhe argëtohen, por kjo po del të jetë pengesë për disa qytetarë të tjerë. Ata po ankohen në polici për zhurmën që lokalet që gjenden në qendër të qytetit, po krijojnë gjatë orëve të mbrëmjes.
E pas ankesave të banorëve, policia ka marrë aksion të mërkurën e javës së kaluar, duke gjobitur pronarët e lokaleve me tiketa të kundërvajtjes të cilat kapin shumën prej 150 deri në 700 euro.
Zyra për Komunikim e Policisë së Rajonit të Prishtinës, ka thënë për Express se ky aksion është zhvilluar pas kërkesave të shumta të qytetarëve të cilët jetojnë në afërsi të atyre lokaleve.
Sipas tyre, ky aksion ka nisur nga 1 janari, dhe janë shqiptuar gjithsej 36 masa administrative të kundërvajtjes, kurse ankesat e qytetarëve në baza ditore arrijnë deri në 20 të tilla.
“Lidhur me zhurmat në lokalet në qendrën e qytetit, që nga 1 janari deri sot per Prishje te rendit dhe qetësisë publike, në qendër të qytetit të Prishtinës janë shqiptuar 34 masa administrative kundërvajtëse. Prej këtyre 14 janë shqiptuar në kuadër të planit operativ i cili ka filluar të implementohet që nga data 06.02.2019. Plan ky i cili është ndërmarrë nga policia në bashkëpunim me inspektorët komunal, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, banorëve të lagjeve ku gjenden këto lokale”, theksohet në përgjigjen e PK-së.
Ndërkaq Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se bizneseve po u bëhet e padrejtë, pasi sipas tyre në kryeqytet janë mbi 700 biznese të cilat punësojnë me mijëra të rinj.
Madje, ata kanë shkruar se nëse aksione të tilla të policisë vazhdojnë, mund të çojnë deri në mbylljen e lokaleve.
“Na u ndal muzika, na u mbyllën lokalet, na i larguan njerëzit. Deri kur me këtë qasje ndaj nesh, punëdhënësve ndër më të mëdhenj në qytet? Deri kur ne të gjobitemi pa faj, sepse mungon një rregullore të cilën ne do ta respektojmë në tërësi? Deri kur të trajtohemi si adresë për bastisje e tejkalim të autoritetit zyrtar, në vend se të shihemi si vlerë e shtuar e ekonomisë së vendit tonë? Nëse këto masa do të vazhdojnë ndaj nesh, ne mbase edhe mund të ju dëgjojmë, të ndalemi tërësisht, ti mbyllim gjitha lokalet tona, që ju ta vëreni për disa ditë së paku, mungesën që do ta kishte qyteti pa bizneset që ne i kemi, prej të cilave ju përfitoni në shumë nivele, si në punësim, taksa dhe shumëçka tjetër. Nëse dëshironi të na mbyllni tërësisht na tregoni hapur, që mos të vazhdojmë të paguajmë dënime të pamerituara, për arsyet që as nuk po arrijmë ti kuptojmë”, thuhet në reagimin e KGK-së.
E aksioni i policisë nuk ka përfunduar me mbrëmjen e 6 shkurtit. Kontrollimi dhe ndëshkimi lokaleve me tiketa të kundërvajtjes, të po bëhet çdo natë dhe do të vazhdojë derisa lokalet që gjenden në qendër të qytetit të respektojnë orarin, bën të ditur policia.