Kandidati për postin e kryetarit të degës në Skenderaj të Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, ka folur pas raportimeve për tensione e përleshje fizike sot në një nëndegë të PDK-së, në fshatin Klinë e Epërme.
Përmes një shkrimi në Facebook, Lushtaku ka thënë kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve.
Postimi i Lushtakut:
Kanë vazhduar zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Skenderaj. Sot janë mbajtur kuvendet zgjedhore në Kllodërnicë, Rakinicë dhe Krasmirofc. Në këto nëndegë janë zgjedhur kryetarët, delegatët për kuvendin e degës dhe kryesitë e nëndegëve. Të gjitha këtyre strukturave u dëshiroj punë të mbarë e suksese në mandatin e ri 4 vjeçar.
Sa për sqarim të opinionit, kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve. Në këtë rast, Komisioni Lokal Zgjedhor ka vendosur që t’i anulojë këto zgjedhje deri në një vendim të ri. SL