Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Skenderaj, ka marrë vendim për shtyrjen e aktiviteteve zgjedhore të degës si pasojë e mungesës së kryetarit të PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, i cili gjatë vikendit udhëtoi për në Hagë.
Lushtaku, i cili do të intervistohet nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar gjatë ditëve në vijim, konsiderohet shumë i rëndësishëm në degën e PDK-së në Skenderaj.
Përmes një njoftimi për media, dega e PDK-së në Skenderaj ka thënë se pa Lushtakun nuk mund të mbahen aktivitetet zgjedhore të partisë.
“Dega e PDK-së në Skenderaj njofton strukturat organizative, anëtarët dhe simaptizantët, se për shkak të intervistimit të Kryetarit të Degës së PDK-së z. Sami Lushtaku nga Gjykata Speciale do të shtyhen aktivitetet zgjedhore të degës”, ka thënë PDK në Skenderaj.
PDK ka njoftuar se aktivitetet zgjedhore do të mbahen pas kthimit të Lushtakut nga Haga.
“Vazhdimi i mbajtjes së kuvendeve të nëndegëve do të bëhet pasi z. Lushtaku të kthehet nga intervistimi. Të gjithë anëtarët dhe simpatizantët do të njoftohen me kohë për vazhdimin e procesit të brendshëm zgjedhor”, thuhet në kumtesën e PDK-së.
Ish-shefi i Shtabit të UÇK-së është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, por ende nuk dihet nëse është ftuar në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit.