Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, tha sot para fluturimit për në Hagë se nuk e di në çfarë cilësie do të intervistohet nga Prokuroria e Specializuar.
“Nuk e di në çfarë cilësie do të më intervistojnë. Pres me e ditë kur të shkoj, më 16 janar”, tha Lushtaku pak para se të fluturonte nga Aeroporti i Prishtinës për në Gjermani, ku do të bëjë një vizitë familjare, e pastaj më 16 janar do të intervistohet në Hagë.
Sami Lushtaku tha se ka marrë telefonata të shumta nga miqtë, përfshirë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Sot për në Hagë udhëton edhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po ashtu është ftuar nga Prokuroria e Specializuar për intervistë.
Lushtakun e Mustafën i ka vizituar sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.