Malazezët të cilët jetojnë në Kosovë, kanë kërkuar të drejta të ngjashme me ato të shqiptarëve të Malit të Zi.
Kryetari i Shoqatës së malazezëve të Kosovës Slobodan M.Vujiçiq ka kërkuar nga kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje që në qeverinë e ardhshme komunitetit malazez në Kosovë t’i jepen urgjentisht të drejta identike sikurse ato që kanë shqiptarët në Mal të Zi.
“Duke marrë parasysh që partia e kryesuar nga ju është fituese e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, si mandatar i ardhshëm, ju keni njoftuar se Qeveria do të prezantojë masa reciproke ndaj të gjithë fqinjëve. Në këtë frymë, ju ftojmë të mbani fjalën tuaj dhe të filloni me ne që janë më të rrezikuarit”, thuhet në letrën e kreut të Shoqatës së malazezëve të Kosovës dërguar Albin Kurtit.
Vujiçiq pret që, në bazë të reciprocitetit, komunitetit malazez në Kosovë t’i jepet urgjentisht e drejta identike si të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Kjo do të thotë, zgjidhja përfundimisht e pozitës sonë kushtetuese dhe të përgjithshme, përfaqësimi adekuat në Kuvendin e Kosovës, përdorimi i gjuhës, flamurit, duke renditur 21 majin si festë kombëtare të Kosovës në kuadër të Ditës së Flamurit të Malit të Zi, duke miratuar planin përkatës të veprimit të strategjisë për integrimin dhe afirmimin e komunitetit malazez dhe zbatimi i tij i plotë duke ndjekur parimet e diskriminimit pozitiv”, thekson Vujiçiq, duek shtuar se ai pret nga Kurti të marrë seriozisht kërkesat e malazezëve të Kosovës.