Fjalë Kyçe

Maqedonia e Veriut publikon të dhënat e fundit për pjesëmarrjen në zgjedhje

Maqedonia e Veriut publikon të dhënat e fundit për pjesëmarrjen në zgjedhje

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar se në votimet për zgjedhjet parlamentare, deri në orën 19.00 kanë votuar mbi 833 mijë qytetarë apo 45.77 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve me të drejtë vote.

“Unë pres që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës deri në fund të ditës dhe të legjitimojnë qeverinë e ardhshme dhe tërë procesin zgjedhor Dita e zgjedhjeve po kalon në mënyrë paqësore, me incidente të vogla që nuk kanë prishur procesin zgjedhor. Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Ndërkohë, Prokuroritë Themelore Publike kanë bërë të ditur se në adresë të tyre kanë arritur dhjetë denoncime nga qytetarë për prishje të procesit zgjedhor. Pjesa më e madhe e tyre, siç thuhet në një njoftim të organit të akuzës, kanë të bëjnë me ndikim dhe ryshfet për votim për parti të caktuara politike, ndërsa dy prej denoncimeve kanë të bëjnë me persona të cilët e kanë fotografuar fletëvotimin e vet gjatë realizimit të drejtës së votës.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut (KSHZ) ka njoftuar se në votimet për zgjedhjet parlamentare, deri në orën 17.00 kanë votuar 703.597 qytetarë apo 38.78 për qind nga trupi i përgjithshëm prej rreth 1.8 milion zgjedhësve.

Sipas KSHZ-së, pjesëmarrje më të lartë ka në njësinë e tretë zgjedhore prej 43,87 për qind, ndërsa më e ulët mbetet në njësinë e gjashtë zgjedhore prej 29 për qind.

Në këtë njësi është numri më i madh i votuesve shqiptar. Në Maqedoninë e Veriut votohen në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilin prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 21.00.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut (KSHZ) ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 në votime kanë dalë më shumë se 576,000 qytetarë apo 31.78 për qind e rreth 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas zëdhënësit të KSHZ-së, Admir Shabani, dalje më e lartë është regjistruar në njësinë e tretë zgjedhore, me 37.24 për qind, ndërsa më e ulët në njësinë e gjashtë zgjedhore, me 22.85 për qind. Kjo njësi ka numrin më të madh të votuesve shqiptarë.

KSHZ-ja ka njoftuar se janë regjistruar edhe disa probleme në disa vendvotime lidhur me fletët e votimit, por kjo sipas zëdhënësit Shabani nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në një vendvotim Shkup një person është arrestuar nga policia për shkak të fotografimit të votës.

Lidhur me procesin zgjedhor është prononcuar edhe ambasadorja amerikane, Kate Byrnes e cila shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e qytetarëve.

“Jam e kënaqur që qytetarët e këtij vendi po marrin pjesë në procesin demokratik. Një ekip nga Ambasada Amerikane i është bashkuar OSBE-së, shoqërisë civile dhe vëzhguesve të zgjedhjeve ndërkombëtare, dhe unë do të jem atje me ta”, ka shkruar ambasadorja Byrnes në rrjetin social Twitter