Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti i Greqisë.
Veseli është shprehur se marrëveshja krijon klimë të mire për zgjidhjen e kontesteve të reja rajonale.
Sipas tij, Kosova duhet ta kapitalizojë këtë momentum dhe në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në të arrijë një marrëveshje të përhershme me Serbinë.
Ky është postimi i tij i plotë:
Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek dhe atë maqedonas, Greqia dhe tanimë Republika e Maqedonisë Veriore i japin fund problemit tredekadësh të emrit. Pas shumë luftërave e kontesteve, Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë më afër garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë sesa tash. Kjo marrëveshje krijon një klimë të mirë për zgjidhjen e kontesteve tjera rajonale. Kosova duhet ta kapitalizojë këtë momentum dhe në bashkëpunim me ShBA-të dhe BE-në të arrijë një marrëveshje të përhershme me Serbinë. Vetëm kështu brezave të ardhshëm mund t’u garantojmë paqe, siguri e zhvillim.