Kështu tha ajo, teksa e përmendi për mirë vendin si një shembull të mirëfilltë të bashkëpunimit dhe të linjëzimit të plotë me politikat evropiane
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka quajtur Shqipërinë një ishull stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe mbi të gjitha një kampione të bashkëpunimit rajonal.
Kështu tha ajo gjatë një konference për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, teksa e përmendi për mirë vendin si një shembull të mirëfilltë të bashkëpunimit dhe të linjëzimit të plotë me politikat evropiane.
Ajo e vlerësoi hovin shqiptar për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027 dhe këtë e reflekton edhe puna që Shqipëria ka bërë së fundmi për grupkapitujt negociues.
Asaj i kanë lënë mbresa të vërteta angazhimet shqiptare në rastin e mikpritjes jo vetëm në termat e mikpritjes si e tillë, por edhe për institucione si kampusi i Kolegjit Evropian, apo një zyrë e Parlamentit Evropian për rajonin, e cila do të hapet në Shqipëri.
Fillimi dhe përshpejtimi i reformave ndërkaq mbetet kyçe sipas Kos, duke veçuar Reformën në Drejtësi, për të cilën tha se e mbështet plotësisht. Një reformë, e cila është guri i themelit për të hyrë në BE.
Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka quajtur një ambicie personale të tijën dhe të Qeverisë shqiptare, arritjen e marrjes së pasaportës së Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.
Këtë ai e ka theksuar gjatë një konference për shtyp me Komisioneren evropiane të Zgjerimit, Marta Kos, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, për të parë ecurinë e negociatave.
Sipas tij, ka ardhur koha tashmë që shqiptarët të kalojnë në korridorin me yje të BE-së dhe jo në seksionin “të tjerë”.
Për këtë, ai përmendi edhe ecurinë tejet të shpejtë të negociatave në vitet e fundit, duke e pranuar se viti 2027 është ambicia për mbylljen e kapitujve negociues, për të pritur më tej anëtarësimin e plotë.