Fjalë Kyçe

Masakra në Bucha shkakton indinjatën e Perëndimit, reagon Moska: Rrenë e regjimit të Kievit

Masakra në Bucha shkakton indinjatën e Perëndimit, reagon Moska: Rrenë e regjimit të Kievit

Po shkaktojnë komentet e indinjuara të gjithë opinionit publik ndërkombëtar pamjet që vijnë nga Bucha, qyteza në periferi të Kievit nga e cila janë tërhequr trupat ruse, që po i drejtohen sërish Bjellorusisë.

Të gjithë po e cilësojnë tashmë si “masakra e Bucha-s”.

Dhjetëra kufoma burrash në rrugë, në pjesën më të madhe me duart e lidhura pas shpine, si në një ekzekutim. Por edhe një gropë ku mund të gjenden deri në 300 të tjerë.

Autoritetet ukrainase kanë gjetur deri më tani 410 kufoma.

Pamje tashmë të filmuara nga gazetarët e mediave ndërkombëtare që ndodhen në terren, dhe jo më të përshkruara nga një deklaratë e ardhur nga ministria e Mbrojtjes ukrainase.

Ndoshta fjalët më të sakta i ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Në Bucha po përjetojmë një brutalitet ndaj civilëve që nuk kemi parë në Europë prej dekadash”.

Nuk fshihet prapa diplomacisë as Ministrja e Jashtme britanike Lizz Truss, që reagoi duke thënë se “ngjarje si ato të Bucha dhe Irpin duhet të investigohen si krime lufte”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli për pamje që ngjajnë me “një grusht në stomak”, dhe që pamje të tilla përsëriten çdo ditë në Ukrainë, nga momenti që agresioni rus po vijon.

I qartë edhe presidenti Emanuel Macron, një nga liderët botëror që ka komunikuar më shpesh me Vladimir Putin. Francezi cilësoi raportimet nga Bucha si të papërballueshme, duke shtuar se autoritetet ruse “duhet të përgjigjen për këto krime”, transmeton a2cnn.

Pikërisht llogaridhënia ishte temë kryesore edhe i reagimit të autoriteteve gjermane, si ai i zëvendës kancelarit Robert Habeck që shtoi se sanksione edhe më të forta duhet të aplikohen për Rusinë.

Por ndërkohë, vjen edhe reagimi nga Moska. Ministria e Mbrojtjes, si gjithmonë e cilëson si një provokim transmetimin e pamjeve nga qyteza e shkatërruar dhe plot kufoma.

Ushtarakët rus deklaruan se ata janë tërhequr në 30 mars dhe se asnjë civil nuk është vrarë gjatë atij që ato cilësojnë si Operacion Special.

“Një tjetër video e rreme e regjimit të Kievit”, shtoi deklarata ruse ndërkohë që trupat e ukrainasve gjenden ende në rrugët e Bucha, pa jetë.