Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thotë se është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me Aktgjykimin KO145/21, që është rezultat i parashtresës së Komunës së Kamenicës, në të cilin është kontestuar Vendimi 01B/24 i MAShTI-it “Për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”.
“Rikujtojmë se Vendimi 01B/24 është marrë më 23 prill 2021, me qëllim që t’u mundësohet nxënësve të pesë vendbanimeve të Komunës së Kamenicës kompensimi i pjesshëm i orëve të humbura, si rezultat i mosvijimit të mësimit prej fillimit të vitit shkollor 2020/21. 441 nxënës të moshës 6-14 vjeç nuk e kanë vijuar mësimin për 8 muaj, e më shumë se 100 prej tyre nuk kanë vijuar mësimin për rreth dy vite. Prandaj, me këtë vendim, MAShTI ka konsideruar përmbushjen e obligimin ligjor për t’iu siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim, duke konsideruar se mbrojtja e interesit të fëmijëve bën pjesë në kategorinë e obligimeve parësore”, thuhet në reagimin e MASHTI-t, të cilin e ka shpërndarë edhe ministrja Arbërie Nagavci.
Ajo thotë se, pa u ndalur në interpretimin e Aktgjykimit, për shkak të njohjes së funksionit të Gjykatës si interpretues i Kushtetutës, risjellim në vëmendje se situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë.
KOMUNA E KAMENICËS FITON RASTIN PËRBALLË MASHTI-T NË KUSHTETUESE, LIDHUR ME REFORMËN NË ARSIM
“MAShTI-i konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar”, thuhet në reagim.
“Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit)”, thuhet tutje.
Pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, thuhet në reagim, MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut).
“Një konstatim të tillë e bën vet Gjykata në paragrafin 126 të Aktgjykimit në fjalë. Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtësore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë”, thuhet tutje.
MASHT-i thotë se vendimi 01B/24 nga MAShTI-i, ishte ndërmarrë me qëllim të përmbushjes së obligimeve pozitive të shtetit të Kosovës sa i përket të drejtave të fëmijëve në Komunën e Kamenicës në raport me ofrimin e shërbimit të mësimit fillor për nxënësit që kishin mbetur për më shumë se dy vite pa mundësinë e ndjekjes së shkollimit publik.
“Ne kemi përmbushur një obligim që ishte edhe literalisht i përcaktuar në Nenin 3 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar (‘MAShTI-i, komunat, institucionet arsimore […] [janë të obliguara] që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim […]’). MAShTI-i nuk mund të mos e përmbushte një obligim të tillë pavarësisht faktit që ai mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pas balancimit të të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve të përfshira, mbrojtja e interesit të fëmijëve hyn në kategorinë e obligimeve parësore ligjore. Theksi i shkronjës së ligjit në fjalë ishte eksplicit sa i përket detyrimit tonë për të ndërmarrë masa ndaj kërkesave të nxënësve/prindërve të tyre. Përmbushjen e një obligimi të tillë MAShTI-i e ka bërë pa paragjykim ndaj të drejtës së kujtdo për të kërkuar rishikimin e Vendimit të tillë nga një instancë gjyqësore, që është një proces krejtësisht normal në një demokraci liberale”, vazhdon tutje reagimi.
MASHT-i thekson po asht use “Vlen të ceket se lidhur me këtë çështje Avokati i Popullit, më 19 gusht 2020, kishte lëshuar Raport me të cilin ka rekomanduar kryetarin e atëhershëm të Komunës së Kamenicës, dhe ministrin e atëhershëm të Arsimit, të rivlerësojë Vendimin 02 Nr. 26397, datë 30.08.2019, ashtu që riorganizimi i shkollave të bëhet në mbështetje të plotë me dispozitat ligjore dhe në bashkëpunim me MASh-in”.
“Raporti i është drejtuar edhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Ginore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Aty konstatohet se moszhvillimi i procesit mësimor në shkollat e Kamenicës përbënte shkelje të së drejtës për shkollim e përcaktuar me nenin 47 të Kushtetutës. Vendimet e nxjerra janë në kundërshtim me legjislacionin dhe standardet ligjore, është rrezikuar shëndeti i fëmijëve dhe në kundërshtim me interesin më të mirë të tyre, është zhvilluar si proces pa pasur konsultim të plotë me palët e përfshira në proces. Avokati i Popullit ka konstatuar se sistemi arsimor duhet të jetë i njëjtë në të gjitha komunat, prandaj organizimi i sistemit arsimor mund të bëhet vetëm nga MAShTI dhe në tërë territorin e Kosovës”, përfundon reagimi.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pranuar kërkesën e Komunës së Kamenicës dhe ka hedhur poshtë vendimin e MASHTI-t për arsim alternativ të përshpejtuar në këtë komunë, duke vlerësuar se nuk është në përputhje me ligjin.
KASTRATI IA KËRKON DORËHEQJEN MINISTRES NAGAVCI
Rasti ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimet të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore. Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duket: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla.