Deputetët e Dhomës së Ulët të parlamentit britanik do ta votojnë sonte rreth orës 19 sipas kohës lokale marrëveshjen për tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Para votimit, kryeministrja May pritet ta mbajë një fjalim për ta fituar mbështetjen e sa më shumë deputetëve.
Votimit të marrëveshjes i ka paraprirë një debat i gjatë që ka zgjatur pesë ditë.
May u ka bërë thirrje të gjithë politikanëve ta mbështesin marrëveshjen e saj, në të kundërt rrezikojnë “të zhgënjejnë popullin britanik”.
Debati i fundit për këtë çështje është hapur sot në mesditë, ndërsa pritet të përmbyllet me fjalimin përfundimtar të kryeministres, rreth orës 18 e 30 minuta sipas kohës lokale. Procesi i votimit do të fillojë me votimin e disa amandamenteve dhe në fund do të votohet marrëveshja.
Deputetët do të mund të sugjerojnë edhe amendamentet që mund ta përmirësojnë marrëveshjen, përpara se votimi të nisë rreth orës 19:00 sipas kohës lokale në Britani.