Gjermania regjistron numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19 në pothuajse katër muaj.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Robert Koch, në 24 orët e fundit është raportuar për 2034 të infektuar të rinj, duke e çuar totalin në mbi 232.000 dhe 9267 viktima.
Rastet e reja me koronavirus në Gjermani kanë regjistruar rritje që nga fundi i muajit korrik dhe një rikthim i tillë ka ardhur për shkak të mos ruajtjes së distancës fizike apo edhe nisjes së lëvizjes më të lirë.
Aktualisht ka dhjetëra vende që konsiderohen si “zona me rrezik të lartë” nga Gjermania. Udhëtarët që kthehen nga vende të tilla, si Belgjika, Kroacia, Bullgaria, Rumania dhe Spanja, si dhe tërë SHBA dhe Rusia, duhet të izolohen për 14 ditë pas mbërritjes.
Rastet janë shtuar edhe që kur nisi rihapja e shkollave. Të paktën 41 shkolla në Berlin kanë raportuar mësues ose nxënës të infektuar.
Qindra nxënës dhe mësues janë aktualisht në karantinë. Kancelarja Angela Merkel shfaqi hapur kritikat se ka shumë rregullore të ndryshme në të gjithë vendin.
Planet janë duke u zhvilluar për të harmonizuar rregullat e ndryshme COVID-19 në të gjithë Gjermaninë. Grumbullimet e mëdha mbeten të ndaluara të paktën deri në fund të tetorit.
Sa i përket situatës në botë, sipas OBSH kontinenti amerikan vijon të jetë më i prekuri, ku vetëm gjatë të enjtes u raportua për mbi 141 mijë raste të reja me COVID-19 dhe 4467 viktima.