Fjalë Kyçe

Mbi 36 të vdekur nga aksidenti mes autobusit e kamionit në Kinë

Mbi 36 të vdekur nga aksidenti mes autobusit e kamionit në Kinë

Të paktën 36 njerëz kanë vdekur dhe 36 të tjerë janë lënduar në pjesën lindore të Kinës kur një autobus i mbushur me njerëz, të cilit i ishte shfryrë goma, u përplas me një kamion.

Në autobus ndodheshin 69 njerëz, që ishte kapaciteti i tij maksimal, kur u përplas me një kamion mallrash në provincën lindore, Jiangsu, të shtunën në mëngjes. Kështu njoftoi byroja e sigurisë publike në Yixing.

Byroja për siguri publike njoftoi përmes një deklarate se, bazuar në hetimet fillestare, aksidenti i tmerrshëm ndodhi për shkak të një gome të shfryrë në pjesën e përparme të autobusit.

Përpos personave të vdekur, në aksident u lënduan rëndë 9 të tjerë, 26 pësuan lëndime më të lehta, ndërsa një person është lëshuar nga spitali për në shtëpi.

Aksidentet fatale janë të shpeshta në Kinë, ku rregullat e trafikut shpesh nuk respektohen dhe nuk mbikëqyren nga autoritetet shkruan “The Guardian”.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm në vitin 2015 në Kinë kanë vdekur 58 mijë njerëz si pasojë e aksidenteve në trafik.

Në rreth 90 për qind të rasteve, policia tha se shkaktar i vdekjeve në trafik ka qenë shkelja e rregullave të komunikacionit rrugor.