Fjalë Kyçe

Mbi tre milionë të infektuar me koronavirus në SHBA

Mbi tre milionë të infektuar me koronavirus në SHBA

Mbi tre milionë është numri i të infektuarve me koronavirusin e ri në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins.

Numri i viktimave ka arritur në më shumë se 131,000.

Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka prekur mbi 11 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 544,000 kanë vdekur, ndërsa mbi 6.4 milionë janë shëruar.

Rastet e para u paraqitën në Kinë, në dhjetor të vitit të kaluar. Shumë shpejt virusi u përhap në tërë botën.

Shtetet e Bashkuara janë vendi me numrin më të lartë të të infektuarve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka filluar zyrtarisht procedurat e tërheqjes së SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh financiar i OBSH-së, e cila udhëheq luftën kundër sëmundjeve globale, përfshirë pandeminë e koronavirusit.

Trump ka thënë se OBSH-ja, agjenci e Kombeve të Bashkuara, ka dështuar t’i bëjë reformat “e kërkuara dhe shumë të nevojshme”, pas shqetësimeve të SHBA-së për mënyrën se si e ka trajtuar pandeminë e koronavirusit.

Trump e ka akuzuar OBSH-në për bashkëpunim me Kinën në fshehjen e të dhënave për koronavirusin.

OBSH-ja i ka hedhur poshtë akuzat.