Mjetet e nevojshme për shërimin e Kaltrina Dakaj-Haxhijaj, tashmë janë grumbulluar.
Këtë e ka bërë të ditur, sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhiaj, shkruan Gazeta Alo.
Haxhiaj që ishte një nga iniciatorët për grumbullimin e mjeteve financiare për shërimin e bashkëvendases së tij, Kaltrina Dakaj-Haxhiaj lajmin e ka bërë të ditur sot, me ç’rast ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar.
Njoftimi i tij i plotë:
“Të nderuar qytetarë, njerëz të vullnetit të mirë,
Sot shpallim të mbyllur aksionin për grumbullimin e mjeteve financiare për shërimin e Kaltrina Dakaj-Haxhijaj, e cila është diagnostifikuar me sëmundjen Leukemi Acute.
Falë mbështetjes së madhe që erdhi nga të gjithë ju, në të gjitha format e mundshme, është arritur të grumbullohen mjetet e kërkuara në shumë prej 65,000 mijë euro, të cilat nga sot janë në dispozicion të shërimit të Kaltrinës.
Në emër të Kaltrinës dhe të dy familjeve Dakaj dhe Haxhijaj, nga zemra i falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan ne të gjitha format e mundshme për grumbullimin e këtyre mjeteve.
Të nderuar njerëz të vullnetit të mirë, asnjëherë të vetme nuk dyshuam në vlerat humanitare që ka ky popull, asnjëherë nuk menduam se jemi të vetëm në këtë sfidë që kishim ne, gjithnjë e dinim dhe ishim të bindur se do të ishit me ne dhe këtë e dëshmuat edhe në këtë fazë të vështirë për familjen tonë. Andaj nga zemra u themi faleminderit të gjithëve dhe Allahu ju shpërbleftë me të mira për çdo kontribut tuajin.
Për më tepër, në pamundësi për të ju falënderuar secilin veç e veç, duam që të shprehim mirënjohjen e thellë të gjithë atyre që kontribuuan për grumbullimin e këtyre mjeteve duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë, Vala, Ipko, Radio Televizioni i Kosovës, Radio Televizioni Fontana në Istog, televizionet dhe radiot tjera kombëtare e lokale, portalet, bizneset, arsimtarët, profesorët dhe nxënësit e shkollave të Komunës së Istogut, mërgimtarët, artistët e shumtë, shoqëria e Kaltrinës, të afërmit si dhe të gjithë qytetarët pa dallim, që kontribuuan në mënyra të ndryshme qoftë përmes shpërndarjes në rrjete sociale, dërgimit të SMS, dërgimit të mjeteve përmes xhirollogarisë, si dhe formave tjera.
Përherë mirnjohës të gjithë juve” thuhet në njoftim./Gazeta Alo/