Të gjitha shkollat janë mbyllur në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, dhe në pjesët veriore, qendrore dhe lindore të vendit për shkak të motit shumë të ftohtë. Temperatura në këtë shtet ka rënë në minus 40 gradë.
Autoritetet kazake kanë qenë të detyruara që t’i mbyllin disa autostrada në rajonin verior të Pavlodarit për shkak të dukshmërisë së vogël dhe stuhive të fuqishme me erë dhe borë.
Të gjitha rrugët jashtë kryeqytetit gjithashtu janë mbyllur. Shërbimet e transportit publik janë kufizuar edhe në rajonet lindore dhe veriore të Kazakistanit për shkak të kushteve të liga të motit.
Zyrtarët e autoriteteve kazake kishin paralajmëruar më parë gjatë kësaj jave për rrezikun e goditjes nga stuhitë e borës dhe temperaturat shumë të ulëta për ditët e ardhshme. Sipas meteorologëve, temperatura në lindje të Kazakistanit mund të zbresë deri në minus 45 gradë, shkruan “Free Europe”.